VETITË E MATERIES
Substancat identifikohen nga vetitë dhe përbërja e tyre. Vetite fizike shfaqen gjatë ndryshimeve fizike dhe në to bëjnë pjesë të gjitha vetitë që mund të shihen apo maten me instrument (ngjyra, dendësia, fortësia, temperatura e shkrirjes. temperatura e ngritjes, forma kristalore, treteshmëria, përcjellshmëria termike dhe elektrike etj.). Vetitë fizike janë konstanta karakteristike nën kushte të jashtme të caktuara dhe gjendje agregatë të caktuar të substancës.
Vetite kimike përshkruajnë aftësinë e substancës për të formuar substanca të reja, në shumicen e rasteve duke reaguar me substanca tjera apo duke u zbërthyer (dekompozuar) substancat e reja nuk duhet të jenë të ngjajshme në asnjë mënyrë me substancën fillestare. P.sh. hekuri ndryshket nëse qëndron në ajër me lagështi, pra ai nuk është i rezistueshëm ndaj ajrit të lagësht.
Më së shpeshti ndryshimet që lidhen me vetitë kimike, rezultojnë nga reagimi i substancës me një ose më shumë substanca tjera. Megjithatë, prania e substancës së dytë nuk është e domoesdoshme, sepse në disa raste prania e energjisë (zakonisht nxehtësia ose drita) mund të shkaktojë zbërthimin e substancave. P.sh. peroksidi i hidrogjeni në prani të nxehtësísë ose dritës zbërthehet në substancat ujë dhe oksigjen dhe themi se kjo është një veti kimike e tij.