Nga 90 elemente që ndodhen në Tokë, vetëm 20 prej tyre marrin pjesë në ndërtimin e trupit të njeriut. Nga këto 20 elemente esenciale, katër prej tyre (karboni, oksigjeni, hidrogjeni, dhe azoti) përbëjnë 96% të masës dhe 99% të atomeve, prandaj janë të njohur edhe si elemente biogjene. Në kapitujt e kimisë organike dhe biokimisë, ju do të hasni substanca të njohura sikurse karbohidratet, proteinat, yndymat, vitaminat dhe acidet nukleike (ADN). Këto komponime janë të ndërtuara kryesisht prej këtyre katër elementeve.
Në trupin e njeriut ka edhe elemente që janë të përfaqësuara në sasira shumë të vogla. Këto elemente quhen mikroelemente (kalciumi 1.6%, fosfori 1.2%, kaliumi 0.35%, squfuri 0.25%, klori 0.15%, natriumi 0.15% dhe magnezi 0.05%).
Nga mikroelementet më i përfaqësuar është kalciumi i cili kryesisht është i koncentruar në eshtra. Fosfori gjithashtu gjendet në eshtra, ATP, ADP, etj. Kaliumi gjendet në lëngjet qelizore, ndërsa natriumi dhe klori gjenden në gjak. Jonet klorure gjenden edhe në lëngun lukthor në formë të acidit klorhidrik. Squfuri gjendet në përbërjen e disa proteinave. Magnezi në sasi më të madhe ndodhet në eshtra nga ku sipas nevojës transportohet në qeliza, ku luan rol të rëndësishëm në reaksionet qelizore.
Elementet tjerë në organizmin e njeriut janë elemente në gjurmë dhe kanë role më specifike (ñgura 2.4). Në këtë grup bëjnë pjesë: hekuri (0.006%), zinku (0.003%), bakri (0.0001%), mangani, kobalti, kromi, seleni, jodi, molibdeni, kallaji, vanadi, nikeli, fluori, silici dhe arseni që (të gjithë bëjnë më pak se 0.0002% pjesëmarrje të masës).
Roli i këtyre elementeve në organizmin e njeriut është shumë domethënës për shëndetin e njeriut dhe mungesa e tyre në organizëm manifestohet me sëmundje të ndryshme. Prandaj duhet të merren nevojat ditore të këtyre elementeve.